Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka konceptuar së bashku me GIZ një program për rijetësimin e kullave-shtëpi i fokusuar në disa elementë kryesorë:
Kullat si Ruajtëse të Identitetit Kulturor Kombëtar: Shtëpitë tradicionale-kullë janë një reflektim unik dhe autentik i historisë shqiptare, mënyrës së jetesës dhe arkitekturës. Rindërtimi i tyre luan një rol thelbësor në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e identitetit kombëtar, veçanërisht në zonat malore ku këto tradita janë ende të gjalla.
Kullat dhe Përdorimi i Qëndrueshëm i Trashëgimisë: Duke rijetësuar dhe përshtatur kullat për përdorim bashkëkohor (arsimi, turizmi, aktivitetet kulturore), këto struktura historike mund të transformohen nga objekte muzeale statike, në elementë dinamikë dhe funksionalë të jetës së përditshme komunitare.
Kullat si Mjet për Edukimin dhe Ndërgjegjësimin Kulturor: Shtëpitë-kullë ofrojnë një mundësi për mësimin e historisë shqiptare, arkitekturës tradicionale dhe vlerave shoqërore. Ato ofrojnë një platformë unike për edukimin e brezit të ri dhe ngritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Faza e dytë do të zhvillohet në periudhën 2026-2028 dhe përfshin restaurimin e kullave, rijetësimin e tyre, lidhje me operatorë turistikë, përfshirje në itinerare dhe zhvillimin e produkteve të tjera turistike rreth kullave, etj.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh sot në një reagim në rrjete sociale, se “ky program synon që kullat tradicionale të restaurohen dhe përshtaten në funksion të turizmit kulturor, promovimit të trashëgimisë dhe zhvillimit lokal, duke u kthyer në bujtina, qendra kulturore dhe pika atraktive që ruajnë historinë, identitetin dhe shpirtin e zonave malore”.





