Bashkimi Evropian ndoshta nuk do të jetë në gjendje të zbatojë planin e tij për të furnizuar Ukrainën me një milion predha artilerie deri në mars 2024 për shkak të gjendjes së prodhimit të industrisë së mbrojtjes dhe pengesave burokratike, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba. ”Fatkeqësisht agjencia Bloomberg thotë të vërtetën. Nuk ka gjasa që të respektohet”, shtoi ai duke iu referuar planit të BE-së. Kuleba theksoi se shkaku i këtij problemi nuk është mungesa e vullnetit politik, por “gjendja e mjerueshme e industrisë së mbrojtjes, si dhe shumë gjëra të pasinkronizuara, shumë burokraci”. ”Bashkimi Evropian po punon për eliminimin e këtyre problemeve dhe kjo është arsyeja pse në Berlin i bëra thirrje Bashkimit Evropian që të zhvillojë një politikë gjithëpërfshirëse në fushën e industrive të mbrojtjes”, shtoi ai.