Ligji parashikon uljen e kufirit të lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal përmes nxitjes së përdorimit të pagesave bankare.

Njëkohësisht, vendoset kufi edhe për transaksionet cash që personat fizikë, individët e vetëpunësuar dhe tregtarët apo entitetet kryejnë me individë, kur vlera e transaksionit tejkalon 500 mijë lekë, si pjesë e përpjekjeve për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.

Në kuadër të politikave për nxitjen e pagesave elektronike, ndryshimet ligjore parashikojnë edhe detyrimin për pajisjen me terminale “POS” në pikat e shitjes për tatimpaguesit që kryejnë veprimtari ekonomike me pagesa në para në dorë, sipas afateve të përcaktuara.

Sipas Ministrisë së Financave, ky detyrim duhet të përmbushet deri më 30 maj 2026 nga bizneset që operojnë në sektorin e turizmit dhe transportit, ndërsa për të gjitha bizneset e tjera afati përfundimtar është 31 dhjetori 2026.

Ndryshimet në ligj përfshijnë edhe përjashtimin nga kamatëvonesat për institucionet publike, në rastet kur mosrespektimi i afateve të deklarimit apo pagesës së detyrimeve vjen si rezultat i zbatimit të akteve ligjore ose nënligjore me efekte prapavepruese, apo i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke synuar shmangien e penaliteteve që burojnë nga faktorë të pavarur nga vullneti i institucioneve.

Po ashtu, parashikohen sanksione administrative ndaj prodhuesve ose mirëmbajtësve të softuerëve të pajisjeve fiskale, në rastet e refuzimit të bashkëpunimit me administratën tatimore, me qëllim sigurimin e bashkëpunimit të plotë gjatë proceseve të verifikimit dhe kontrollit të pajisjeve fiskale të konfiskuara dhe forcimin e funksionimit të sistemit të fiskalizimit.

Ligji u njeh gjithashtu tatimpaguesve individë të drejtën për të korrigjuar deklaratën vjetore të të ardhurave personale brenda gjashtë muajve nga data e dorëzimit, me mundësinë për të kryer jo më shumë se dy korrigjime, ndërsa afati për dorëzimin e deklaratave të ndryshuara reduktohet nga 36 muaj në 24 muaj, në funksion të rritjes së korrektësisë dhe vetëdeklarimit të të ardhurave.