Porja theksoi se temperaturat do të jenë 5 gradë Celsius më shumë se normalja për këtë muaj por megjithatë ajo tha se moti do të jetë i paqëndrueshëm, me lagështi në ajër dhe mundësi reshjesh shumë të lehta shiu.

“Sot, termometri tregon 5-6 gradë në zonat malore dhe pritet që maksimumi të arrijë në 25 gradë. Duke filluar nga nesër, do të kemi një rritje tjetër të temperaturave, ndërsa dita e mërkurë do të shënojë temperaturën maksimale prej 30 gradësh, që do të thotë 5-6 gradë Celsius më shumë se normalja për këtë muaj. Nga e hëna deri të premten, moti do të jetë i paqëndrueshëm, me vranësira dhe kthjellime, por që në pjesën e dytë të ditës rrezikohet për reshje. Në jug, këto reshje nuk do të kenë fuqi, pasi mund të jenë thjesht disa pika shiu. Nga këto reshje, nuk do të ketë probleme, pasi ato do të jenë me intensitet të ulët dhe do të sjellin lagështi të madhe në ajër, duke krijuar një atmosferë mbytëse, e kombinuar me temperaturat e larta. Deti do të jetë i trazuar gjatë këtyre ditëve, të paktën deri në fundjavë”, tha ajo.

Moti në rajon

Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë ndryshime të situatës termike, me ngrohje në të gjitha këto vende. Në Kosovë pritet të arrijnë 24 deri në 25 gradë Celsius, që janë mjaft të larta për zonat atje, ndërsa në Malin e Zi priten 27-28 gradë Celsius. Kështu, rajoni do të jetë në këto temperatura të larta, ndërsa dita do të jetë me vranësira të lehta, të cilat do të shtohen gjatë orëve të pasdites.