Ksamili është një ndër destinacionet që ka tërhequr vitet e fundit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, por edhe vëmendjen e medieve të huaja, që e kanë cilësuar si “Maldivet e Europës”. Kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi në një postim në rrjetet sociale tha se “këtë sezon turistik Ksamili ka fituar një performancë të jashtëzakonshme në platformat online të udhëtimit. Në Trip Advisor, strukturat e shërbimit (restorante dhe bare) kanë arritur një vlerësim të përgjithshëm shumë të lartë, ku 85 % e komenteve janë klasifikuar si shkëlqyeshëm dhe shumë mirë”. “Në Booking.com, shkëlqimi është i pamohueshëm për strukturat akomoduese duke treguar se 46 % e vlerësimeve janë të jashtëzakonshme dhe 42 % të shkëlqyera, me një total 88 % vlerësimesh pozitive (8-10). Ndërkaq, në Google, një vlerësim i përgjithshëm prej 4.5/5 reflektojnë nivelin e lartë të kualitetit të shërbimit”, nënvizoi Çaçi. Sipas tij, ky sukses në vlerësimet online flet për përpjekjet e vazhdueshme për të ofruar një përvojë të shkëlqyer. “Ksamili është një destinacion që tërheq vizitorë nga e gjithë bota, me pamjet e mahnitshme dhe cilësinë e jashtëzakonshme të shërbimit”, shtoi kryebashkiaku Çaçi. Me bukurinë dhe tërheqjet e tij Ksamili ka pak për të ofruar nga pikëpamja historike, por shumë e shumë gjëra mbi turizmin, pasi është një nga vendet më të kërkuar nga mijëra turistë çdo vit, të cilët zgjedhin Shqipërinë si një vend për pushimet e tyre. Këtë vit, Ksamili u rendit si vendi i dytë më i kërkuar për pushime në AirBnB në mbarë botën.