Aksi rrugor Tiranë-Ndroq po i nënshtrohet një ndërhyrjeje të plotë për riparimin e pjesëve të amortizuara dhe pajisjen me sinjalistikën e nevojshme rrugore, me qëllim përmirësimin e sigurisë në këtë zonë.
Ky investim synon të përmirësojë cilësinë e infrastrukturës rrugore dhe të sigurojë lëvizje më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë përdoruesit e këtij aksi të rëndësishëm në rajonin e Tiranës.
Momentalisht ka përfunduar vendosja e shtresës së konglomeratit dhe shtresës së binderit në një gjatësi prej 1,5 kilometrash.
Ndërkohë, vazhdon puna intensive për eliminimin e shtresave të dëmtuara dhe përgatitjen e bazës për shtresat e reja, si dhe ndërtimi i strukturave monolite që do të forcojnë rrugën.
Përveç punimeve në asfalt po vijon edhe instalimi i sistemit të drenazhit dhe vendosja e tombinove për përmirësimin e largimit të ujërave të shiut, të cilat ndikojnë direkt në qëndrueshmërinë e rrugës.
Rehabilitimi përfshin gjithashtu vendosjen e sinjalistikës vertikale dhe horizontale si dhe instalimin e barrierave metalike në zona të rrezikshme.
Në tri vende me rrezikshmëri të lartë, ku rruga është ndërtuar në shpat të rrëshqitshëm, po vendoset sinjalistika paralajmëruese për të rritur vëmendjen e drejtuesve të mjeteve dhe sigurinë e përgjithshme në aks.