Kryevepra e Rossini-t në TKOBAP, si premierë absolute

0
3

Kjo kryevepër u shkrua nga Rossini në 1863-shin si një kompozim kishtar. Pas suksesit të arritur me “Vilhelm Telin”, Rossini braktisi kompozimin e operave lirike dhe iu përkushtua kompozimit të muzikës së dhomës dhe asaj kishtare. Së bashku me të famshmen “Stabat Mater”, “Petite messe solennelle” konsiderohet një ndër kryeveprat më të mira të muzikës së shekullit të 19-të, që vetë Rossini e ka cilësuar si “e fundit prej mëkateve të pleqërisë”.

Për këtë vepër, do të ketë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm mes Korit e Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentëve të korit Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi, si dhe me Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së, të drejtuar nga maestro Facundo Agudin.

“Petite messe solennelle” është në frëngjisht pasi u kompozua në Francë, sipas kërkesës së një konteshe, për një meshë private. Qëllimisht, kompozitori italian, luajti me fjalët duke e quajtur edhe të vogël, e njëkohësisht solemne, për shkak të ansamblit të reduktuar (solistë, kor, harmonium dhe piano) dhe frymës operistike tipike e Rossini-t, i lindur për operën “buffa”.