Në pjesën më veriore të vendit, komunizmi ende nuk kishte lëshuar rrënjë dhe qëndronte dobët. Në Postribë filloi të organizohej një lëvizje e nxitur kryesisht nga kleri me mbështetjen e elementëve nacionalistë.
Mbledhjet e para patën si qëllim pjesëmarrjen e gjerë të fshatrave dhe banorëve të qytetit të Shkodrës. Në korrik, një mbledhje u mbajt në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, u mblodhën përfaqësuesit kryesorë të fiseve, edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet shumë të madh në Shkodër e fshatrat rreth saj.
Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iball të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e më gjerë.
Thirrja e djemve ushtarë, më 9 shtator 1946, nxiti mbledhjen në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros.
Prijësi Osman Haxhia i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillonte më 09.09.1946.
Kryengritja e Postribës u shtyp nga regjimi duke dërguar forca të shumta, Osman Haxhia, u kap dhe u dënua ndërsa Jup Kazazi i rrethuar nga forcat shtetërore, u vetëvra dhe kufomën e tij e shëtitën rrugëve të Shkodrës për të dhënë një mesazh.