Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Muzeu Etnografik dhe Pazari karakteristik i Krujës gjallërojnë nga turistët edhe gjatë muajit tetor.
Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “qendra muzeore e Krujës ka shënuar këtë vit një fluks të lartë vizitorësh. Nga fillimi i vitit deri tani qendra muzeore e është vizituar nga mbi 160 000 vizitorë vendas e të huaj”.
“Ndërsa mbi 12 000 vizitorë janë shënuar nga fillimi i muajit tetor deri tani. Një vizitë interesante zhvilluan në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” rreth 50 operatorë turistikë nga Franca, të cilët shfaqën interes për historinë e popullit shqiptar dhe të heroit kombëtar Skënderbeu”, tha Hafizi.
Hafizi u shpreh se gati tre muaj pas rihapjes së Muzeut Etnografik të Krujës mijëra vizitorë vendas e të huaj kanë treguar interes për trashëgiminë kulturore dhe traditat shqiptare.
“Përveç turistëve të huaj në muajt shtator dhe tetor kanë rinisur edhe ekskursionet e nxënësve nga Kosova”, shtoi ai.
“Ka ditë që i kalojnë mbi 1 mijë vizitorë në ditë, kryesisht gushti kishte më shumë, por edhe tani vazhdon i njëjti trend”, tha Hafizi.
Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik.