Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se Bashkimi Evropian do t’i japë 80 milionë euro grante mbështetje Shqipërisë për sektorin e energjisë elektrike, nisur nga kriza që po kalojnë shtetet si pasojë e luftës dhe 500 milionë euro për modernizimin e infrastrukturës së sistemit energjetik në Ballkan. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Ursula von der Leyen tha se “është kënaqësi të rikthehet sërish në Tiranë, e cila ka ndryshuar në shumë gjëra”. “Në korrik Shqipëria ka nisur negociatat dhe unë isha e kënaqur që ndodhesha këtu atë moment”, vijoi ajo. “Më lejoni t’ju them atë që e thashë dhe atëherë: Kjo është merita juaj!” – deklaroi Von der Leyen. Duke u ndalur në zhvillimet aktuale, ajo theksoi se “këto janë arritje në një kohë sfidash, këtu kam parasysh luftën në Ukrainë. Rusia po shkel rendin ndërkombëtar dhe çdo kartë të OKB-së. Fatmirësisht Shqipëria nuk ka fare varësi nga gazi rus, por natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga çmimet stratosferike në Evropë”. “Ne kemi vendosur që të jemi unitarë dhe solidarë. Pra, ne jemi pjesë e një unioni për energjinë dhe po propozojmë një paketë mbështetëse për energjinë për Ballkanin Perëndimor, për të ndikuar në zbutjen e çmimeve. Do të jenë 80 mln euro në grante. Më pas do të ketë mbështetje për sistemin e energjisë. Këtu po flasim 500 mln euro në grante për të gjithë rajonin për të investuar në infrastrukturën energjetike”, tha ajo. Von der Leyen: Kemi mbushur depot me 92%, na jep siguri t’ia dalim dimrit Von der Leyen, tha se BE ka diversifikuar në mënyrë të suksesshme burimet për të siguruar rezerva energjetike, në kushtet e krizës së krijuar nga lufta në Ukrainë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp sot në Tiranë me kryeministrin Rama, ajo theksoi se “deri tani kemi mbushur depot tona mbi 92% të rezervës energjetike”. Ajo theksoi se, “përgjigja ndaj krizë energjetike që është dhe faktori i rritjes së çmimeve në zinxhirin e gjërave, kërkon një reagimi shumë më të gjera se sa thjeshtë mbështetja buxhetore. Është e rëndësishme që jemi pjesë e një unioni energjetik, pra e kemi avancuar tashmë integrimin e Shqipërisë në BE në fushën e energjisë dhe çdo gjë që ne bëjmë na ndikon te njëri-tjetri”. “Pjesa e dytë ka të bëjë jo me mbështetjen e menjëhershme, por me mbështetjen që do të vijë pas janarit. Në fakt në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë mbështetja për sistemin e energjisë. Këtu po flasim për 500 milionë euro në grante për të investuar në infrastrukturën energjetike për të gjithë rajonin, që do të thotë që do të kanalizohet me anën e planit ekonomik të investimeve për Ballkanin Perëndimor i cili po funksionon tashmë në këto momente këtu sepse është e vërtetë, unë e pashë në fakt personalisht fillimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, por për mua është shumë e rëndësishëm që ne të investojmë me energjinë e rinovueshme sepse energjia e rinovueshme prodhohet në vend, na bën të pavarur, krijon vende pune në rajon dhe është e mirë dhe për mjedisin”, theksoi ajo. Von der Leyen theksoi se, “investimi do të jetë për shembull në impiantin lundrues diellor, në një vend Vau i Dejës. Modernizimin e hidrocentralit të Fierzës dhe në fakt u habita shumë kur dëgjova që prodhon 1/4 e energjisë elektrike në vend si edhe plani po ndihmon me rinovimin e eficiencës energjetikë të godinave të Qytetit Studenti, të Universitetit të Tiranës. Këto janë vetëm disa shembuj por tregojnë orientimin, drejtimin në të cilin ne po ecim”. “Në këto 8 muaj të fillimit të luftës Rusia ka hequr 2/3 furnizimit me gaz për BE-në, që është rreth 100 miliardë m3 gaz dhe kjo ka sjellë efektin e rritjes së çmimit të gazit, por edhe energjia elektrike që merret nga gazi”, tha presidentja e KE-së. Ajo vuri në dukje se, BE-ja ka diversifikuar burimet energjetike në mënyrë të suksesshme, larg nga Rusia, me furnitorë si SHBA dhe Norvegjia. “Kemi mbushur depot tona mbi 92%. Këto janë në të gjithë BE-në, por ama ne të gjithë përfitojmë nga rezervat energjetike. Kjo na jep sigurinë se ne do t’ia dalim gjatë këtij dimri. Jemi shumë më të përgatitur tani se sa kemi qenë në fillim të luftës. Tani kemi një situatë stabël dhe mund të shohim ndërhyrjet në treg. Mbështetje financiare të drejtpërdrejtë, investime tek energjia e rinovueshme, infrastruktura, si edhe një qasje të strukturuar në treg për të ulur çmimet, kjo është ajo që po përdorim për të përballuar krizën”, u shpreh Von der Leyen.