Banka Shqiptare e Zhvillimit do të shërbejë si një institucion financiar, i modeluar sipas praktikave më të mira evropiane, dhe ka për qëllim: Fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMV), mikrondërmarrjeve dhe start-up-eve, përmes financimeve dhe mbështetjes teknike; Promovimin e eksporteve shqiptare për të forcuar konkurrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare; Kanalizimin e fondeve dhe instrumenteve financiare nga partnerët ndërkombëtarë drejt projekteve zhvillimore; Modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit, me një fokus të veçantë në investimet e gjelbra.

Projektligji është përgatitur në bashkëpunim me partnerë strategjikë, përfshirë Cassa Depositi e Prestiti (CDP) të Italisë, e cila ka ofruar ekspertizë për konceptimin dhe ngritjen e këtij institucioni.

BSHZH do të fokusohet në projekte që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë, duke ndjekur standardet më të larta të transparencës dhe llogaridhënies.

Ndër të tjera, institucioni do të sigurojë financime për projekte publike dhe private në nivel lokal e qendror, duke krijuar ura bashkëpunimi mes kapitalit publik dhe privat.

Banka Shqiptare e Zhvillimit do të funksionojë si një shoqëri aksionare, me Shtetin Shqiptar si aksionarin kryesor dhe një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se, “themelimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit është një gur themeli në përpjekjet tona për të transformuar ekonominë shqiptare. Kjo bankë do të ofrojë mbështetje konkrete për sipërmarrësit, do të promovojë eksportet dhe do të krijojë baza solide për zhvillimin afatgjatë të vendit”.