Rusia sheh një nevojë urgjente për bisedime të sigurisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ato duhet të jenë “gjithëpërfshirëse” dhe të përfshijnë temën e Ukrainës, tha dje në mbrëmje Kremlini, sipas “Reuters”.
“Është e pamundur të fshijmë ndonjë segment individual nga kompleksi i përgjithshëm i problemeve të akumuluara”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nëse Moska ishte gati të bisedonte me Uashingtonin për rreziqet bërthamore.
“Ne jemi të hapur për dialog, por për një dialog të gjerë gjithëpërfshirës që mbulon të gjitha dimensionet, duke përfshirë dimensionin aktual që lidhet me konfliktin rreth Ukrainës, lidhur me përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në këtë konflikt”, u tha Peskov gazetarëve.
SHBA-ja ka hedhur poshtë pretendimin e Rusisë se duke armatosur Ukrainën ajo është bërë protagoniste e drejtpërdrejtë në një luftë që synon t’i shkaktojë Moskës një “disfatë strategjike” dërrmuese.
SHBA-ja tha se çdo negociatë për luftën është çështje e Ukrainës.
Nga këndvështrimi i Uashingtonit, është Putini ai që në vitin e tretë të luftës në Ukrainë po i shtohet listës së shqetësimeve të sigurisë.
Këtë javë, presidenti rus vizitoi Korenë e Veriut ku nënshkroi një marrëveshje të mbrojtjes reciproke me liderin e saj Kim Jong Un dhe tha se mund të furnizonte Korenë e Veriut me armë ruse në përgjigje të armatimit perëndimor të Ukrainës.
Putini gjithashtu tha se ai po rishqyrtonte doktrinën ruse për përdorimin e armëve bërthamore.
Traktati i fundit i mbetur i kontrollit të armëve që kufizon numrin e kokave strategjike bërthamore që Rusia dhe SHBA-ja mund të vendosin do të përfundojë në vitin 2026