Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se totali i kredisë së re për blerjen e pasurive të paluajtshme shënoi 36,2 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit 2025.

Sipas statistikave të publikuara nga BSH-ja, kredia për pasuritë e paluajshme për këtë periudhë u rrit me gati 32% me bazë vjetore.

Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën rreth 27% të portofolit kryesor të huadhënies për ekonominë.

Në muajin qershor 2025, bankat disbursuan 7,4 miliardë lekë kredi të re për blerjen e pasurive të paluajshme (banesa) shifër kjo gati 60% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Treguesi në rritje i kreditimit për pasuritë e paluajshme, shpjegohet me faktin edhe se qershori ka qenë muaji i fundit, para hyrjes në fuqi të vendimit të BSH-së për aplikimin e limitit për vlerën e kredisë për pasuritë të patundshme për individët.

Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona. Në pjesën më të madhe, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi).

Dinamika më e zhvilluar për blerjen e pasurive të paluajtshme vihet re kryesisht në zonat bregdetare dhe në kryeqytet, teksa shënon tendencë në rritje kredia e re për blerjen e banesave në monedhën euro.

Duke nisur nga 1 korriku 2025 bankat po zbatojnë masa e BSH-së që përcaktojnë se tavani për vlerën e kredisë ndaj kolateralit për kreditë në monedhën lek do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Ndërsa në valutë do të jetë përkatësisht 75% dhe 70%, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.

Kësti ndaj të ardhurave për kreditë në monedhën lek do të jetë 40% për blerjen e shtëpisë së parë dhe 35% për blerjen e një shtëpie të dytë. Për kreditë në valutë, ky kufi përcaktohet në 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpitë e tjera.

Pra, për kredi në lekë për të blerë një banesë me vlerë 10 milionë lekë banka do të financojë maksimumi 8,5 milionë lekë.