Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bizneset kanë përfituar 226,7 miliardë lekë kredi të reja, ndërsa kredia për individët ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 23,3%, duke arritur 105,6 miliardë lekë.

Financimi për individët mbulon kryesisht blerjen e pasurive të paluajtshme dhe konsumit, duke reflektuar një rritje të besimit në ekonomi, ndërsa biznesi është financuar kryesisht për zgjerimin e investimeve.

BSH-ja bën të ditur se, totali i kredisë për ekonominë ka arritur në mbi 906 miliardë lekë, me një rritje 4,3 miliardë lekë krahasuar me muajin shtator 2025, duke ruajtur ritme dyshifrore me bazë vjetore prej 11,5%.

Erald Themeli, drejtor i politikave monetare në BSH, u shpreh pak ditë më parë në lidhje me treguesit pozitivë të ekonomisë, se “trendi në rritje i kreditimit për ekonominë tregon jo vetëm fuqizimin e biznesit dhe konsumatorëve, por edhe stabilitetin e tregut financiar shqiptar, që vijon të ofrojë likuiditet të mjaftueshëm dhe kushte favorizuese për kreditim”.