Rritja e konsumit familjar dhe e investimeve të biznesit pasqyron bilancet e shëndetshme financiare, besimin për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme të kreditimit.
Kështu deklaroi sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për mediet pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, ku bëri të ditur se, “kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me ritme të shpejta, prej mesatarisht 16,7% gjatë dy muajve të parë të vitit 2025”.
Sipas tij, rritja e kreditimit është diktuar si nga niveli relativisht i ulët i normës bazë të interesit dhe i normave të interesit të kredisë, ashtu edhe nga qasja pozitive e sektorit bankar ndaj kreditimit.
Guvernatori e cilësoi, një zhvillim specifik riaktivizimin e kreditimit në valutë, si pasojë e uljes së normave të interesit në tregjet evropiane dhe i rritjes së shpejtë të kredisë akorduar bizneseve për investime.
“Kredia në valutë shënoi një rritje mesatare prej 20% gjatë dy muajve të parë të vitit, duke mbështetur rritjen e kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu, treguesi i kredive me probleme zbriti në 4,06% në muajin shkurt, një minimum i ri historik prej më shumë se një dekade”, theksoi Sejko.
Guvernatori vuri në dukje se, “stabiliteti i sistemit financiar, si dhe përmirësimi i treguesve të qëndrueshmërisë fiskale dhe të huaj të vendit, janë pasqyruar në një përmirësim të mëtejshëm të renditjes së rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë nga agjencia Standard & Poors në muajin mars 2025, duke e çuar atë në BB”.
Sipas tij, ky përmirësim ul kostot e huamarrjes së sektorit publik e privat në tregjet e huaja, si dhe rrit atraktivitetin e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar për investitorët e huaj.