Këshilli i Ministrave përcaktoi institucionet përgjegjëse, si dhe procedurat e miratimit dhe të dokumentacionit që duhet të plotësojnë familjet që përfitojnë kredi me interes të barabartë me 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave.

Vendimi përfshin familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për këto familje, për banesa me kosto të ulët, është me 0 % interes.

Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari ose kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.

Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Individët ose familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0% qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.

Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5  ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen: e strehimit; familjare; sociale.

Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.

Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0% interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.

Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen: se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme; mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese.