Autorizimi i ndihmës shtetërore për garancinë shtetërore të huas për subjektet e industrisë përpunuese është botuar në Fletoren Zyrtare.
Sektori i industrisë përpunuese është goditur vitet e fundit nga disa prej krizave qe kanë ndikuar në ambientin ekonomik të brendshëm dhe të huaj duke u reflektuar në uljen e eksporteve.
Për të tejkaluar këtë situatë, sektori ka nevojë të përmirësojë dhe përditësojë proceset teknologjike që përdor, të rrisë nivelin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.
Në vendimin “Për miratimin e garancisë shtetërore të huas me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së subjekteve të industrisë përpunuese, kategoria Nace 2, për investime në teknologji dhe inovacion, për blerje të lëndës së parë, si edhe për përcaktimin e kushteve e të kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”, sqarohet se ky plani synon të lehtësojë blerjen e makinerive, automatizimin e linjave të prodhimit, krijimin e kushteve strukturore, për të realizuar ciklin e plotë (Made in Albania), si dhe do të ketë mundësinë e disponimit të likuiditetit për nevoja të blerjes së lëndës së parë.
Referuar planit të ndihmës, huamarrësi duhet të dorëzojë kërkesën e aplikimit për Hua jo më vonë se 31 tetor 2024 ndërsa afati do të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 7 (shtatë) vitesh në rastin e kredive për investim dhe duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 3 (tre) vitesh në rastin e kredive për blerje të lëndës së parë.
Nëpërmjet kësaj kredie e cila në total kap vlerën e 4 miliardë lekëve, qeveria synon të lehtësojë blerjen e makinerive, automatizimin e linjave të prodhimit, krijimin e kushteve strukturore, për të realizuar ciklin e plotë ‘Made in Albania’, si dhe do të ketë mundësinë e disponimit të likuiditetit për nevoja të blerjes së lëndës së parë.
Në vendim përcaktohet se huamarrësi duhet të jetë subjekt i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, nuk duhet të kenë detyrime tatimore të papaguara në momentin e aplikimit. Nuk duhet të ketë kredi me probleme, me vonesa prej më shumë se 60 ditë, në historik dhe në momentin aktual në Regjistër Kredie. Ndërsa vlera e huas që do të vendoset në dispozicion mund të ndryshojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga subjekti, por në asnjë rast kreditë e dhëna sipas Marrëveshjes së Garancisë, nuk do të jenë më të larta se 100 milionë lekë.
Në vendim përcaktohet po ashtu edhe afatet maksimale të kredisë, në rastin e kredive për investim në asnjë rast nuk duhet të kalohet afati prej 7 vitesh, ndërsa për kreditë për blerje të lëndës së parë nuk duhet tejkaluar afatin prej 3 vitesh.