Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme miratoi rekomandimin e kandidatëve të radhës për zëvendësimin e dhjetë (10) deputetëve të dorëhequr të subjektit politik të Listës Serbe. Deputetët e Listës Serbe janë zëvendësuar me nëntë kandidatë të kësaj partie dhe një tjetër nga iniciativa qytetare, GI SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, sipas emrave në vijim: Slavko Simiq propozohet të zëvendësohet me Milan Kostiq nga Lista Serbe, Igor Simiq me Zoran Maksimoviq nga Lista Serbe, Miljana Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe, Zoran Mojsiloviq me Milan Joksimoviq nga Lista Serbe, Verica Çeraniq me Ksenija Bozoviq nga Lista Serbe, Branislav Nikoliq me Rados Mihajloviq nga Lista Serbe, Milosh Pervoviq me Nenad Radenkoviq nga Lista Serbe, Ljubinko Karadzhiq me Svetislav Jokiq nga Lista Serbe, Jasmina Dediq me Biljana Maksiq nga Lista Serbe dhe Dragana Antonijeviq propozohet të zëvendësohet me Cvetko Veljkoviq nga GI SPO. Kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi ka njoftuar anëtarët e KQZ-së për takimin e tij me presidenten, Vjosa Osmani. Ai tha se takimi ka qenë konsultativ sa i përket nevojave të KQZ-së nëse shkohet në zgjedhje për katër komuna veriore. “Takimi ka qenë konsultativ sa i përket nevojave të KQZ-së se nëse shkohet në zgjedhje. E kam paraqitë vetëm një kërkesë sa i përket buxhetit, edhe një orientim lidhur me nevojat dhe punën tonë që do ta trajtojmë, si dhe për kohën që na nevojitet për përgatitje. Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve dhe të tjera, ka mbetur që presidentja për t’u konsultuar me partitë tjera politike. Pra, nuk kemi biseduar as për zëvendësimet, e as për asambletë komunale, por vetëm sa i përket kryetarëve për katër komunat veriore”, theksoi ai. KQZ diskutoi edhe mbi dorëheqjen e zyrtarëve të Komisioneve Zgjedhore (KKZ) në katër komunat veriore Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Radoniqi propozoi që të mos ketë nguti për aprovimin e dorëheqjeve të zyrtarëve serbë në veri. “Sa i përket dorëheqjeve, do të kisha pritur disa ditë për të parë se si po rrjedhë situata. Zgjedhjet nuk janë shpallur, nuk e di pse po ngutemi me këto çështje… KQZ do të jetë në gjendje të organizojë zgjedhjet kudo në Kosovë, ndoshta do të ketë pengesa, por ne do të jemi në gjendje t’i organizojmë. Kështu që kjo është diçka për më vonë”, tha Radoniqi. Edhe anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi theksoi se dorëheqjet e tyre nuk duhet pranuar, pasi sipas tij nuk kanë pasur asnjë arsye për veprimet e tyre. Kurteshi nga radhët e LV-së, shtoi se dorëheqjet e tyre ligjërisht nuk janë të drejta. “Dorëheqja e tyre nuk duhet të pranohet për një arsye, sepse edhe deputetët, edhe anëtarët e kuvendeve komunale kanë dhënë dorëheqje individuale. Kështu që dorëheqja ligjërisht nuk është e drejtë”, theksoi Kurteshi. Më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërkaq me 7 nëntor edhe zyrtarisht dorëzuan mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.https://ata.gov.al/2022/11/10/kqz-ja-zevendeson-dhjete-deputetet-e-dorehequr-te-listes-serbe/
KQZ-ja zëvendëson dhjetë deputetët e dorëhequr të Listës Serbe
RELATED ARTICLES