Fitimi i së drejtës së emigranteve për të votuar pa qenë prezent ne Shqipëri përballet me disa sfida të cilat janë sa teknike po aq dhe financiare.
Nëse jeton jashtë vendit, hapi i parë për te marrë pjesë në zgjedhjet e pranverës është të regjistrohesh në platformën elektronike që po ndërtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një intervistë për Top Channel u shpreh se, “ajo çfarë dimë pak a shumë me siguri është kosto e platformës elektronike të regjistrimit të votuesve që shkon rreth 3 milion euro përafërsisht. Por, akoma nuk kemi bërë një vlerësim përfundimtar”.
Kjo nuk është kosto e vetme e këtyre zgjedhjeve. Votimi nga jashtë do realizohet me postë, ku shpenzimet do të ndahen mes Komisionit Qendror te Zgjedhjeve i cili dërgon fletën e votimit dhe emigrantit që duhet ta ktheje tek i njëjti institucion.
Por, kontraktimi i një poste ndërkombëtarë do të bëjë që fatura e zgjedhjeve të pranverës të fryhet edhe më shumë.
Celibashi shtoi se, “nëse do përdoret shërbim postar i huaj, llogaritja mesatare shkon 30 apo 40 euro. Nëse do te votonin 1.1 milion sikurse mendohet që është numri i votuesve jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë këtë shumë do ta shumëzojë me 20 apo 30-40 euro. Ka goxha kosto”.
Aspekti teknik i votimit nga jashtë lidhet edhe me fshehtësinë e tij. Emigrantët nuk do kenë mandate të rezervuara, por vota e tyre do llogaritet në qarkun ku ata kanë pasur vendbanimin fundit në Shqipëri. Po a rrezikon te identifikohet vota ne qarqet e vogla ku numri i votuesve nga jashtë do ishte modest.
“Nëse do ketë vetëm 1 votues, është e qartë që hapja e asaj flete të votimit tregon qartë se si dhe për kë ka votuar ky votues. Jemi duke konsideruar këtë rast sesi do të operojmë kur kemi vetëm 1 votues”, tha Celibashi.