Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKostoja nga rritja e pagës minimale për një të vetëpunësuar, 1570 lekë

Kostoja nga rritja e pagës minimale për një të vetëpunësuar, 1570 lekë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se kostoja nga rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë për një të vetëpunësuar llogaritet vetëm 1570 lekë. Gjatë një konference për shtyp lidhur me ecurinë e ekonomisë, Ibrahimaj tha se kjo nuk do të ndikojë në mbylljen e bizneseve të vogla dhe as në ulje të numrit të të punësuarve. “Pjesa më e madhe e biznesit të vogël janë të vetëpunësuar. Si të tillë paguajnë vetëm vlerën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për pagën minimale. Diferenca e kontributeve të sigurimeve shoqërore që vjen si pasojë e rritjes së pagës minimale në nivelin 40 mijë lekë është 1570 lekë. Nuk mendoj se kjo vlerë në muaj, do të çojë në falimentimin e bizneseve të vogla dhe në rritje të përgjithshme të çmimeve për bizneset e vogla”, shtoi ministrja. Ajo theksoi se politikat e qeverisë për mbështetjen e bizneseve të vogla do të vijojnë të jetë aktive. “Pra bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 milionë lekë, në vit, nuk paguajnë TVSH, ndërsa ato me qarkullim deri në 14 milionë lekë, nuk paguajnë tatim mbi fitimin. I vetmi element që ata paguajnë është kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që nuk është taksë, por kontribut për skemën e sigurimeve shoqërore dhe atë të shëndetësisë. Nuk mendoj se do të çojë në reduktim të bizneseve të vogla”, tha ajo. Ministrja tha se është bërë një analizë, ku janë evidentuar se cilët janë sektorët me numrin më të madh të punëmarrësve dhe cilët janë ata që shpenzimet për personelin i kanë në nivelin më të lartë të shpenzimeve të tyre. “Për këta sektorë është vendosur mbështetje përmes subvencionit të diferencës së kontributeve, pasi nuk duam të ndërmarrim politika që mund të ndikojnë në aktivitetin ekonomik të bizneseve, duke qenë se janë bizneset që rritin ekonominë dhe ne do të ndërmarrim politika mbështetëse për ta”, tha ministrja. Ajo vuri në dukje se arsyeja e vendosjes së pagës minimale në nivelin 40 mijë lekë është luftimi i fenomenit të nëndeklarimit të pagave. “Nga analizat që kemi bërë gjykojmë se ka ende informalitet në disa sektorë, të cilët nëndeklarojnë pagat. Nëse kemi bërë një punë shumë të mirë për të reduktuar informalitetin e zi dhe tashmë kemi raste sporadike që lidhen me mosdeklarimin e punonjësve kemi ende punë të bërë për të luftuar informalitetin gri që lidhet me nëndeklarimin e pagave. E gjitha kjo shkon në drejtim të objektivit tonë për përmirësimin e tregut të punës”, tha ministrja. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments