Në Kosovë janë ndarë çmime për artistët më të mirë të teatrit për vitin 2023. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Vjetore për Teatër 2023 u mbajt në Pallatin e Rinisë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bazuar në vlerësimin e jurisë profesionale, çmimin për shfaqjen më të mirë ia dorëzoi regjisorit francez Igor Mendijsky për shfaqjen “1984”, Teatri Kombëtar i Kosovës. Çmimi për veprën jetësore post-mortem iu dha artistit të mirënjohur Muharrem Qena. Çmimin për regjinë më të mirë e mori regjisori Fadil Hysaj për shfaqjen “Fausti”, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Bekim Fehmiu Prizren, Teatri i Qytetit Gjilan.
Çmimin për aktorin më të mirë e mori Adrian Morina për dy role në shfaqjet “1984” dhe “Fausti”. Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar iu dorëzua “Qendrës Multimedia”. Pjesë e jurisë profesionale në këtë edicion ishin: Kushtrim Koliqi, Ag Apolloni, Ilir Bokshi, Doruntina Basha dhe Ernest Malazogu. Ministri Çeku në fjalën e tij ka uruar laureatët e çmimeve, duke theksuar se MKRS-ja dhe qeveria u është falënderues të gjithë atyre që përbëjnë komunitetin teatror: aktorët/et në skenë, skenaristët, regjisorët, dramaturgët dhe ekipet e tjetra profesionale e deri te pjesa që i shohim më pak, por që janë shumë të rëndësishëm, ata që qëndrojnë prapa skenave, të cilët e bëjnë të mundur magjinë e teatrit.