Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) bën me dije se të ardhurat tatimore për periudhën janar-gusht 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
ATK informon se të hyrat për këtë periudhë janë rritur për 62.9 milionë euro, duke reflektuar pozitivisht në përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e performancës dhe zbatimin e reformave strategjike.
“Totali i të hyrave të inkasuara ka arritur në 642.0 milionë euro tatime, duke shënuar kështu rritje të qëndrueshme për buxhetin e shtetit. Kjo rritje lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e reformave të rëndësishme që kanë për qëllim përmirësimin e efektivitetit dhe rritjen e transparencës”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se ndikimi i reformave të ndërmarra përfshinë digjitalizimin e proceseve të punës, trajtimin e borxheve tatimore, krijimin e kanaleve për raportim të rasteve korruptive, luftimin e evazionit tatimor, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia janë disa nga reformat të cilat kanë ndihmuar në ngritjen e performancës.
Në fund thuhet se ATK mbetet e përkushtuar në forcimin e përmbushjes vullnetare dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimin e hendekut tatimor, duke u siguruar që tatimpaguesit paguajnë saktë detyrimet tatimore.