Në fjalën e saj të rastit, zëvendësministrja Anagnosti e përshëndeti ekranizimin e filmave të kinematografisë vendase, si një mundësi për dëshmimin e sakrificave të brezave të mëparshëm.
“Ta nderojmë këtë film si pasuri të paçmuar të shqiptarisë. Ky film është një thesar i artit tonë kombëtar dhe një dëshmi e fuqishme e identitetit tonë shqiptar. Filmi ‘Era dhe lisi’ na kujton sakrificat e brezave të kaluar dhe sfidat që shqiptarët kanë përballuar me dinjitet. Vepra të tilla na vënë para përgjegjësisë për të rritur rolin tonë në promovimin e tyre”, tha zëvendësministrja Anagnosti.
“Urime për këtë bashkëpunim të mrekullueshëm. Shpresoj vërtet që ky aktivitet të pasohet nga të tjerë të ngjashëm, për të promovuar realizimet e ‘Kosovafilm’”, u shpreh Ndria.
Ndërsa, ambasadori Durmishi vlerësoi trajtimin në mënyrë kreative të tematikave historike.
“Kjo nismë kulturore është shumë kreative. Përzgjedhja e këtij filmi më duket me vend, pasi përqendrohet në një periudhë mjaft delikate, por edhe të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Ky film mbart vlera politike, historike dhe sociologjike shumë domethënëse për Kosovën e kohës”.
“Era dhe lisi” realizuar nga regjisori Besim Sahatçiu në vitin 1979 është produksioni i fundit kinematografik që transmetohet pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e jubileut të Çlirimit.
Në këtë përvjetor me rëndësi historike, evokimi i kujtesës kolektive ka qenë në fokus të veprimtarisë së DPA-së, e cila është angazhuar në këtë drejtim edhe nëpërmjet shfaqjes së ekspozitave dhe publikimit të botimeve të dedikuara.