Në raftet e dyqaneve evropiane dhe globale, vajrat, pijet dhe prodhime të tjera “Made in Kosova” shpesh janë regjistruar si me origjinë nga Shqipëria apo shtete të tjera – jo për shkak të vendit të prodhimit, por për shkak të mungesës së një barkodi shtetëror të njohur ndërkombëtarisht.

Kjo ka qenë një pasojë më pak e dukshme e statusit të Kosovës si shteti më i ri në Evropë, por që vazhdon të përballet me njohje të pjesshme ndërkombëtare dhe integrim të paplotë në shumë mekanizma globalë.

Situata, megjithatë, po ndryshon.

Kosova ka siguruar këtë muaj barkodin ndërkombëtar 381, duke u dhënë për herë të parë produkteve vendore një identitet të verifikueshëm globalisht.

Për një vend që synon të rrisë eksportet dhe të integrohet më thellë në tregun evropian dhe global, ky është një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të sovranitetit ekonomik dhe pranisë së tij në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, vlerësojnë ekspertët.

Barkodi, përndryshe, është një numër unik identifikues që përmban informacion për kompaninë dhe vendin e origjinës së produktit dhe mund të skanohet kudo në botë, përmes pajisjeve optike apo aplikacioneve telefonike.