Marrëveshjet bilaterale për sigurime sociale

Zgjidhja e vetme, sipas Reçices, është që Qeveria e Kosovës të arrijë marrëveshje bilaterale për sigurime sociale me shtetet tjera, veçanërisht me ato ku është e përqendruar diaspora e Kosovës.

“Kur flasim për marrëveshjet shtet me shtet, nëse një qytetar i Kosovës ka mbushur 65 vjet dhe jeton në rajon ose në shtetet e Bashkimit Evropian, ai mund të përfitojë ndihmë sociale edhe atje. Por, kur ekziston marrëveshja bilaterale, pensioni i marrë në Kosovë zbritet nga ndihma e përfituar në shtetin tjetër, si për shembull në Zvicër. Në këtë mënyrë, qytetari merr një pjesë nga Kosova dhe një pjesë nga shteti tjetër, por nuk mund t’i pranojë dy pensione të plota”, thotë ai.

MFPT nuk u përgjigj se çfarë masash do të marrë për identifikimin e këtyre personave, por nga kjo ministri thanë se “Kosova tashmë ka marrëveshje të tilla me Zvicrën, Belgjikën, Shqipërinë dhe Holandën”.

Në mesin e muajit dhjetor, një marrëveshje e re është iniciuar edhe me Slloveninë, ndërkohë Qeveria është në proces negocimi për marrëveshje të ngjashme me Austrinë, Turqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, thanë nga kjo ministri.

Megjithatë, deri më tani, nga MFPT-ja thanë se “vetëm 26 qytetarë që jetojnë në Zvicër dhe Belgjikë përfitojnë pensione kontributpaguese në bazë të këtyre marrëveshjeve”.

Përveç pensionistëve që përfitojnë pensione nga buxheti i shtetit, Qeveria e Kosovës që nga viti 2021 ka nisur të ndajë shtesa mujore për fëmijët me shtetësi kosovare nga mosha 0 deri në 16 vjeç.

Edhe në këtë kategori, rezultatet e regjistrimit të ASK-së kanë treguar një numër më të madh pagesash sesa numri i fëmijëve rezidentë në Kosovë.

Sipas këtyre të dhënave, në Kosovë jetojnë mbi 372.000 fëmijë të këtyre moshave, ndërsa në korrik të këtij viti, Ministria e Financave tha për Radion Evropa e Lirë se numri i përfituesve ka arritur në mbi 404.000 fëmijë.

Lidhur më këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë një konference për media më 27 dhjetor se nuk di numrin e saktë të fëmijëve që nuk jetojnë në Kosovë dhe janë përfitues të shtesave. Por, ai shtoi se ka pasur disa raste kur familjet e fëmijëve janë identifikuar se nuk janë rezidentë në Kosovë dhe atyre u janë ndërprerë shtesat.

Fëmijët përfitojnë nga 20 euro në muaj, ndërsa ata që vijnë nga familje me tre ose më shumë fëmijë marrin 30 euro në muaj.

Përveç pensioneve dhe shtesave të rregullta mujore, Qeveria e Kosovës ndau një shumë prej 100 eurosh për këto kategori me rastin e festës së Vitit të Ri.