Festivali i Letërsisë ZaNa, i cili zhvillohet në Kosovë, ka hapur thirrjen për poezi. Në këtë edicion të tretë të festivalit ZaNa, është përzgjedhur tema e reflektimit me vetveten. Nga të gjitha prurjet do të përzgjidhen 12 poetë, të cilët do të kenë sjellë poezitë më të arrira me këtë temë, pavarësisht stilit e formës. Festivali nuk kufizohet brenda Kosovës, por u drejton thirrjen për pjesëmarrje poetëve nga i gjithë rajoni i Ballkanit dhe sipas organizatorëve, deri tani ka pasur një numër të lartë aplikuesish edhe nga gjuhët sllave. Çdo poet do të mund të aplikojë duke dërguar 3 deri në 5 poezi dhe ka kohë për aplikim deri më 18 shkurt, pavarësisht moshës së poetit, apo faktit nëse janë publikuar më parë poezitë, duke sjellë kështu, larmi moshe e stili. Kjo është hera e parë që Festivali i Letërsisë ZaNa, ka një qasje më të gjerë, ku përveç autorëve vendas do të ketë dhe autorë të huaj. Të gjithë poetët e përzgjedhur nga komisioni vlerësues do të publikohen në librin me poezi “ZaNa” dhe do të ofrohet përkthimi i poezive të zgjedhura në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe. Drejtuesja e festivalit, Nora Prekazi, thotë se Festivali ZaNa është një mundësi e re për t’u shprehur, për shkëmbime idesh e krijimtarie, duke mundësuar një rikthim të vlerës dhe peshës së poezisë në letërsi dhe në jetën e njerëzve. atsh