Kosova së shpejti pritet të anëtarësohet në Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) me seli në Hagë të Holandës, pas miratimit të aplikimit nga shtetet anëtare të këtij komisioni. Kosova bashkëpunon prej vitit 2003 me këtë organizatë ndërsa tani pritet që ky bashkëpunim të ngrihet në nivel tjetër.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, në një intervistë për KosovaPress vlerëson se anëtarësimi është ndihmë e madhe për Kosovën në procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
Kosovës tash i mbetet të zhvillojë procedurat e brendshme, siç është miratimi i një ligji dhe dekretimi nga presidentja, në mënyrë që vendi edhe zyrtarisht të konsiderohet si pjesë e kësaj organizate. Qeveria ka miratuar këtë projektligj derisa i njëjti pritet të marrë edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës.