Sipas njoftimit, në përputhje me dispozitat përkatëse të legjislacionit në fuqi dhe në zbatim të masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos si vijon: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla, shpendëve dhe i produkteve të tyre të cilat e kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Italisë, përveç nëse e kanë origjinën nga fermat e pa prekura me sëmundjen në një rreth prej 50 km largësi nga zonat e prekura.
Më tej thuhet se kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV).
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdon ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.
Pesë ditë më parë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), ka ndaluar importin e shpendëve të gjalla dhe produkteve të tyre si, mish, vezë dhe nënproduktet e tjera me origjinë edhe nga Gjermania, pas përhapjes së gripit të shpezëve të në këtë vend.





