Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings ka dhënë Vlerësimin Kreditor BB për Kosovën, duke shënuar kështu herën e parë që vendi merr këtë lloj vlerësimi si shtet. Vlerësimi Kreditor është indikator tepër i rëndësishëm që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer borxhet, dhe merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera. Në raportin e publikuar më 19 prill, Fitch Ratings thekson në veçanti kredibilitetin e politikave fiskale, stabilitetin dhe nivelin e ulët të borxhit publik, deficitin e ulët buxhetor, dhe sektorin bankar të qëndrueshëm si arsyet kryesore që kanë mbështetur pozitivisht vlerësimin e tyre kreditor për Kosovën.
Fitch Ratings ka vlerësuar punën e bërë nga Qeveria në fushën e politikave fiskale me uljen e deficit buxhetor dhe rritjen e vazhdueshme të mbledhjes së tatimit. Agjencia vlerëson nivelin e ulët të borxhit publik i cili ka rënë në 17 për qind të bruto prodhimit vendor, si dhe shkallën e inflacionit në rënie, e cila në muajin mars ka prekur nivelin 2.3 për qind. Përveç qëndrueshmërisë fiskale si dhe një sektori bankar rezilient e mirë të kapitalizuar, Agjencia ka vlerësuar edhe stabilitetin politik të vendit si faktor pozitiv, për faktin që Qeveria e Kosovës është mirë e pozicionuar për të shërbyer mandatin e plotë. Raporti vlerëson edhe punën e Qeverisë në realizimin e reformave të nevojshme si dhe luftimin e korrupsionit, përkundër sfidave.