Qeveria ka autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila vetë, ose me nënkontraktorë, do të bëjë të mundur realizimin e projektit të parashikuar.
Qeveria autorizon shoqërinë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronës, me qëllim realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i Pallatit të Lojërave me Dorë “Asllan Rusi””, në përmbushje të interesit publik për projektin e investimit.
Sipas këtij vendimi, Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet apo autoritetet e autorizuara prej tyre, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, si dhe përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entetit/entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.
Gjithashtu autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendim të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.
Vendimi përcakton se, Korporata e Investimeve Shqiptare negocion me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronës për të cilën ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.
Gjithashtu në funksion të zhvillimit të pronës të përcaktuar në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e kësaj prone.
Ngarkohen Ministria Arsimit dhe Sportit, Bashkia Tiranë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Qendra Sportive, sh.a., dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.