Prefekti Jole ishte në disa pika të dislokimit të mjeteve dhe pajisjeve të mirëmbajtjes dimërore: në Çërravë, Qafën e Qarrit, ish-SMT në qytetin e Korçës, si dhe në fshatrat Vashtëmi, Pendavinj dhe Dishnicë.

Jole informoi se subjektet kontraktore i kanë vendosur mjetet, materialet dhe personelin manovrator, në këto pika, duke garantuar gatishmërinë e plotë për ndërhyrje në mirëmbajtjen dimërore të akseve kombëtare dhe turistike: Qafë-Thanë–Kapshticë, Qafë-Plloçë–Qukës, Kryqëzimi Zëmblak–Goricë Doganë, Bilisht–Miras, Korçë–Ersekë (përfshirë degën Qafë e Qarrit–Ersekë), Libonik–Lozhan–Kryqëzimi Strelcës–Kufi Gramsh, Unazë–Ersekë–Leskovik–Tre Urat (Doganë), Korçë–Voskopojë, Libonik–Rëmbec–Plasë, Kryqëzimi Podgorie–Kryqëzimi Liqenas dhe Kryqëzimi Boboshticë–Dardhë.

“Këto masa, të mbështetura në përvojën e fituar ndër vite, sigurojnë ofrimin cilësor dhe në kohë të shërbimit të mirëmbajtjes dimërore në çdo situatë që mund të paraqitet gjatë sezonit të ftohtë”, u shpreh Nertil Jole.

Prefekti beri me dije se Drejtoria e Rajonit Qendër-Lindje Korçë e Autoritetit Rrugor Shqiptar do monitorojë në vijimësi subjektet e kontraktuara, për të mbajtur në gatishmëri kapacitetet logjistike, personelin manovrator dhe garantuar bazën materiale për ndërhyrje efikase.