Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e vlerësoi Dibrën për arritjet në sektorin e turizmit duke ia atribuar këtë pikave agroturistike që kanë marrë zhvillim në këtë zonë me mbështetjen e qeverisë. E pranishme në takimin që zhvilloi sot kryeministri Edi Rama me operatorë turistik mbi zhvillimin e turizmit në Dibër, Kumbaro tha se, “ajo që bie në sy këtë vit në Dibër, është numri tejet i lartë i vizitorëve që vizitojnë parqet natyre dhe kombëtare të kësaj zone, që nga parku natyror i Ulëzës, Lura e kështu me radhë deri tek parku i Korabit, të cilët nuk llogariten me shtretër apo me hyrjet nga pika kufitare e Blladës”. “Në të gjithë qarkun e Dibrës kemi një rritje të interesit të vizitorëve për turizmin natyror malor. Dibra nuk ka qenë destinacion klasik për turizmin në 10 vitet e fundit, sivjet kemi bashkë me Dibrën dhe me pjesën tjetër të turizmit të Alpeve, (Tropojë, Malësi e Dibrës) një rritje të interesit të vizitorëve të huaj me 41%”, deklaroi Kumbaro. Ajo tha se, investimet në infrastrukturë kanë sjellë më afër Dibrën me Tiranës. Falë rrugës së Arbrit Dibra është kryer në një destinacion shumë i afërt për të qenë pjesë e një fundjave apo dhe e turizmit të aventurës. “30 mijë janë turistët që e kanë vizituar Dibrën nga janari deri në gusht të këtij viti. Ndërsa 30 bujtina e pika agroturistike janë zhvilluar në këtë zonë si qendra të mikpritjes dhe kulinarisë tradicionale që zgjojnë gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve për tu frekuentuar”, u shpreh Kumbaro. Korab-Koritniku, do të jetë i pari park natyror ndërkufitar, tha Kumbaro, teksa bëri të ditur se për këtë projekt është diskutuar edhe me homologët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Në këtë park ndërkufitar do të përfshihet Korab-Koritniku, mali i Sharrit në anën e Kosovës dhe Mavrova në Maqedoninë e Veriut. Kumbaro tha se kjo të thotë që plani i menaxhimit për këtë park do të bëhet në të tri shtetet në të njëjtën kohë, shoqëruar në vitin 2023 me një plan të promovimit dhe financimin e projekteve të veçanta duke shtuar ofertën turistike. Gjithashtu vijoi ajo, po mbyllim planin për parkun e Ulëzës dhe nisim në 2023-n investimet për shtigjet e shënuara në këtë zonë.http://ata.gov.al/2022/10/29/kumbaro-korab-koritniku-i-pari-park-natyror-nderkufitar/