Shtegu “Bele-Ujëvara e Beles”, pjesë e parkut natyror “Korab-Koritnik” është një ndër të preferuarit e të pasionuarve pas ngjitjeve në mal. Stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Kukës në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës turistike në zonat e mbrojtura zhvilloi një aktivitet duke shënuar shtegun turistik “Bele-Ujëvara e Beles” brenda Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, një atraksion turistik lehtësisht i kalueshëm dhe mjaft i vizituar nga vizitorët. 0
Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.