Përfaqësuesi i KfW, Opitz deklaroi se ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt reduktimit të konsumit të energjisë në konvikte, krahasuar me nivelet para rehabilitimit.

Përmirësimet në infrastrukturën e konvikteve do të ulin konsumin e energjisë mesatarisht me 40% krahasuar me nivelet aktuale. Ulja e pritshme e emetimeve është e barabartë me 3,031 tCOeq në vit, ndërsa sasia e energjisë së kursyer pritet të arrijë në 5,869 MWh në vit. Rinovimi i grupeve të ndërtesave të mbetura pritet të fillojë në vitin 2025.

Gjithsej, KfW ofron financim prej më shumë se 30 milionë euro në kredi dhe grante në emër të qeverisë gjermane dhe rreth 4.78 milionë euro si grant në emër të Bashkimit Evropian, përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Në Shqipëri, KfW-ja realizon Bashkëpunimin Financiar Gjerman përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. KfW ofron ndihma granti dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence që lidhen me projektet. Bashkëpunimi gjerman për zhvillim me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që atëherë, qeveria gjermane ka akorduar më shumë se një miliard euro për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një fushë prioritare në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Shqipërinë, me një portofol aktiv prej mbi 457 milionë euro.

WBIF është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), donatorëve dypalësh dhe përfituesve nga Ballkani Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009, me qëllim ofrimin e asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. Më pas, platformës iu bashkuan KfW-ja dhe Banka Botërore. Në dhjetor 2018, Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) u bë organizatë pjesëmarrëse në WBIF.