Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është drejtuar qytetarëve serbë në Kosovë, për t’i njoftuar se kanë 61 ditë afat që t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti thekson se targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” janë trashëgimi e Millosheviçit dhe se janë barrë të cilën nuk duhet ta mbajnë mbi supe qytetarët serbë. Për të njëjtat, Kurti tha se duhet të konvertohen në targa RKS, në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro. “Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, thekson kreu i ekzekutivit. Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillohet procesi i konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.https://ata.gov.al/2022/09/01/kurti-qytetareve-serbe-konvertoni-targat-ne-rks-ilegalet-jane-trashegimi-e-milloshevicit/