Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, aksioni për konfiskimin e ndërtimeve dhe shtesave pa leje do të shtrihet në të gjithë vendin. “Nëse merr përsipër të bësh një punë, përpiqesh që të bësh gjëra, atëherë ka baltë për ty sa të duash. Kam dëgjuar disa këto ditë që thonë: ‘Po ato pallate s’u bënë brenda ditës”. Sigurisht s’u bënë. “Aty i kishit, apo ju prishën pazaret?”. As pallatet s’u bënë brenda ditës dhe as kultura e ligjit s’u bë brenda ditës. Kur ne e nisëm këtë rrugë dhe kur filluam t’i vëmë fre ndërtimeve pa leje, në Tiranë s’kishte asnjë pallat të vetëm pa shtesa. Këto raste flagrante, sidoqoftë janë pak. Janë raste flagrante, karshillëku ndaj të gjithëve. Ne nuk mund të mos lejojmë dhe të shembim ndërtime pa leje në fshat, apo të njerëzve që sidoqoftë që s’i bëjnë për t’i shitur apo fituar, por të lëmë që këta pasanikë të jenë pa kufij në përpjekje për të bërë pasuri duke rënë në qafë. S’ka pazar të prishur, se po të ishte për pazar, gjysmat e pallateve do ishin gati t’i jepnin që të mos binin në kthetrat e operacionit. Për ata që duan të dëgjojnë, kjo është përgjigje ndaj atyre që më akuzojnë për ndarje të fitimeve me përqindje”, tha Rama nga Zall-Herri, teksa vuri në dukje se, këta shtrihen sa në det, sa në rrugë, sa në mes të kryeqytetit. “Është me rëndësi që të mos harrojmë se kjo nuk është histori shqiptare. Për ne është histori e re, kjo është histori e shkurtër. Italia, Spanja, Greqia po e po, kanë vuajtur me dekada këto gjëra. Ky është operacion që do të shtrihet në gjithë Shqipërinë. Ka zona të tjera në bregdet, ku ka shumë punë për të bërë. Ajo që keni parë nuk është veçse fillimi i një procesi”, deklaroi Rama. “Operacioni ‘Bregdeti ynë’ ynë ka nisur para sezonit, ka rifilluar tani dhe do shtrihet mbi të gjithë ata që kanë vazhduar babëzisht. Të njëjtën gjë do bëjmë me hotelet, apo qendrat e biznesit. Në gjithë këto metra katrorë, populli do marrë pjesën e vet. Ata që janë përgjegjës, ata shefa komisariatesh, që në zonat e të cilëve është më e lehtë të kapësh një ‘katunar tirone’ si puna ime, mua s’më kanë kapur se e kam 100% me leje, ndërkohë në zona ku ndërtohen kate apo metra, nuk shkon askush. Është detyra e Policisë së Shtetit në radhë të parë. Ajo që është fatkeqësi është se ka persona të implikuar dhe me bekim të shefave të komisariateve”, tha Kryeministri. Mbi vendimin e fundit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje Rama paralajmëroi se do ta ashpërsojnë akoma më shumë ligjin. Ai tha se do të shkojnë kontrolle të detyruara çdo 45 ditë, në mënyrë që ndërtuesit të mos hedhin kate pa leje. “Do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin, do vëmë kontrolle të detyra çdo 45 ditë, në mënyrë që katet të mos hidhen dhe pastaj kur shikohet është vonë. Ky do të jetë mësim i mirë për të gjithë ata që do të dalin të implikuar në këtë histori. Por më e rëndësishmja nga të gjitha është që ky është një operacion që do shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Tirana ka problematikën më të vogël, ka zona të tjera që kanë problematikë më të madhe në raport me sipërfaqen që kanë”, tha Rama. Rama u shpreh se nuk ka hile në banesat e reja, por i kanë trajtuar socialistët e demokratët njësoj.http://ata.gov.al/2022/09/09/rama-per-konfiskimin-e-ndertimeve-pa-leje-ashpersim-te-ligjit-kontrolle-cdo-45-dite/