Me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, zhvilluan konferencën “Bektashizmi shqiptar në Luftën e Dytë Botërore”.

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti dhe falënderoi për organizmin e kësaj konference kryetarin e Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushin, dhe kryesinë e kësaj akademie, kërkuesit shkencorë dhe organizatorët.

Në ligjëratën e tij ai foli për kontributin e klerit bektashian në gjithë vijën e historisë së njerëzimit dhe u ndal në kontributet e bektashinjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në njërën nga figurat më të spikatura, klerikun atdhetar, shenjtin Dede Ahmet Myftari. Ai tha se kontributi i tij i çmuar është pasqyruar në disa botime, të cilat gjenden edhe në Bibliotekën e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, dhe theksoi se Dede Ahmetin do ta kujtojmë përgjithmonë me nderim jo vetëm ceremonial apo emocional, por edhe si klerik, atdhetar e filozof të shquar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi theksoi se pjesëmarrja e bektashinjve në Luftën e Dytë Botërore është një vlerë e shtuar në historinë e luftës së popullit shqiptar kundër fashizmit.

Ndërsa akad. Hamit Kaba mbajti kumtesën “Baba Faja dhe bektashinjtë shqiptarë në burimet britanike e amerikane”. Ai tha se klerikët shqiptarë janë treguar luajalë ndaj politikës, patriotë dhe mbështetës të pavarësisë së vendit, pavarësisht nga pozicioni i tyre hierarkik dhe qendrave botërore fetare nga të cilat vareshin.

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi vlerësoi Luftën Nacionalçlirimtare që e renditi Shqipërisë përkrah fituesve të Luftës së Dytë Botërore dhe që i ktheu Shqipërisë lirinë dhe pavarësinë. Ai vuri në dukje vlerat politike, ekomomike, shoqërore dhe kombëtare të Luftës Nacionalçlirimtare, ku edhe dëshmorët e saj duhen kujtuar dhe nderuar.