Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKontribut solidariteti të detyrueshëm

Kontribut solidariteti të detyrueshëm

Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për krijimin e kontributit të solidaritetit gjatë kohëzgjatjes së periudhës së krizës energjetike”. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi se ky projektligj është hartuar në kuadër të masave që ka marrë qeveria për tejkalimin e situatës së krizë energjetike, në analogji edhe me masat që ka marrë BE. “Në thelb ky ligj kërkon krijimin e një kontributi solidariteti të detyrueshëm për prodhuesit e energjisë elektrike që shesin energjinë e tyre në treg të lirë. Kjo do të thotë marrjen e një pjese të të ardhurave të tyre dhe shpërndarjen për shtresat në nevojë, bizneset dhe qytetarët”, tha Karakaçi. Sipas tij, kjo nënkupton se prodhuesit e energjisë që shesin në treg të lirë, të cilët e tregtojnë këtë produkt me çmime të liberalizuara, kanë përfituar të ardhura shtesë, jo për shkak të punës së tyre, por për shkak të konjukturave të tregut dhe rritjes së çmimit në bursë. Ai vuri në dukje se kontributi i detyrueshëm derdhet në një llogari të posaçme në buxhet dhe në mënyrë transparente do të përdoret për paketat sociale në ndihmë të qytetarëve dhe biznesit. Ky ligj do të jetë i kufizuar në kohë deri në 31 dhjetor 2024, ose nëse çmimi mesatar në bursën hungareze bie nën 180 euro/MWh. Projektligji përcakton se kontributi i solidaritetit llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara në vitin fiskal nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lek/kWh. Formula për llogaritjen e kontributit të solidaritetit është në masën 50 për qind të të ardhurave të krijuara mbi çmimin 8.5 lek/kWh. Niveli i kontributit të detyrueshëm nuk rrezikon aftësinë e prodhuesve të energjisë për të rikuperuar kostot e tyre të investimeve dhe operimit dhe ruan e stimulon investimet e ardhshme në kapacitete shtesë. Nga ana e tij, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja informoi se janë identifikuar 3 operatorë që shesin në tregun e parregulluar të energjisë elektrike që janë Statkraft-Devolli Hydropower, Ayen Energy dhe Kurum, pra që operojnë energji me digë, rezervë ujore.https://ata.gov.al/2022/12/20/rritja-e-cmimit-te-energjise-3-kompani-prodhimi-kontribut-solidariteti-te-detyrueshem/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments