Në zonën e lumit të Gashit, pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” është konstatuar gjeli i egër, një dëshmi e gjallë e natyrës së paprekur.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Kukës ndau në rrjetet sociale pamje nga ky shpend i rrallë, i fotografuar gjatë vëzhgimeve të fundit në zonë.
“Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” vazhdon të na befasojë me pasuritë e tij të rralla natyrore. Gjatë një vëzhgimi të fundit në zonën e Lumit të Gashit, është konstatuar prania e gjelit të egër (Tetrao urogallus), një nga speciet më të rralla dhe më të rëndësishme të faunës së egër në Evropë”, theksoi ADZM Kukës.
ADZM Kukës u shpreh se “ky shpend i rrallë është një indikator i vlefshëm i ekosistemeve të shëndetshme pyjore dhe prania e tij në këtë zonë është një tregues i qartë i ruajtjes së biodiversitetit dhe cilësisë së lartë të habitatit natyror në këtë pjesë të Alpeve Shqiptare”.
Gjeli i egër (Tetrao urogallus) bën pjesë në familjen e Tetraonidae. Ai ngjitet në fluturim me zhurmë shumë të fortë të krahëve. Fluturimet janë të shkurta, të shpejta dhe në vijë të drejtë. Gjeli i egër jeton në zona malore, në pyje halorë ose të përzier, zona me pisha të vjetra në vende shkëmbore, etj.