Më 15 tetor të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi të ngarkojë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të kampusit universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Sipas vendimit të qeverisë, fondi prej 23,6 milionë lekësh do të mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2025.

Ky kampus i ri do të mbështesë rritjen e kapaciteteve arsimore dhe kërkimore të universitetit, duke e pozicionuar atë jo vetëm si një qendër edukimi, por edhe si një pol tërheqës për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe urban të qytetit të Durrësit.

Kampusi do të ofrojë një kornizë të re për jetën studentore, duke garantuar një përvojë universitare të integruar dhe dinjitoze për të gjithë studentët, nga vendi dhe nga jashtë.