Konkursi “Gjerdani i artë”

0
4

Për të ruajtur muzikën tradicionale si dhe përcjelljen nga brezi në brez, TKOB ka vendosur të realizojë konkursin “Gjerdani i artë”, përmes të cilit synohet promovimi i krijimtarisë muzikore në vend, si dhe mbështetja e muzikës sonë tradicionale, nëpërmjet materialeve të reja muzikore, që bazohen te tradita, dhe sjellin risi. Tre veprat më të mira do të vlerësohen me çmime, ndërsa 10 krijimet më të vlerësuara nga juria, pjesëmarrëse në konkurs, do të interpretohen në një koncert premierë nga Ansambli i Këngeve dhe Valleve Popullore.

Kriteret për të qenë pjesë e këtij konkursi janë:

  1. Konkursi është i hapur për kompozitorët profesionistë shqiptarë në gjithë hapësirën mbarëkombëtare që kanë përfunduar studimet për kompozicon, pa kufizim moshe.
  2. Çdo kompozitor lejohet të paraqesë 2 krijime për kor “a capella”.
  3. Partiturat duhet të jenë të notizuara me kompjuter dhe të paraqiten në format elektronik.
  4. Në dosjen e aplikimit, përveç partiturave të krijimeve paraqitet edhe një CV e kompozitorit si dhe diploma e studimeve për kompozicion.
  5. Krijimet muzikore duhet të jenë të mbështetura mbi motive popullore këngësh nga gjithë hapësira mbarëkombëtare.
  6. Kohëzgjatja e krijimit të jetë nga 3-5 minuta.

Çmimi i parë “Gjerdani i artë” do të jepet për krijime për kor e orkestër si dhe kor, solist e orkestër. Çmimi i dytë “70-vjetori i TKOB” do të jepet për krijime për kor “a capella” e solist. Çmimi i tretë, për krijime për kor “a capella”. Aplikimet do të jenë të hapura deri më 18 janar për kompozitorë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, pa limit moshe.