Muzeu Historik Kombëtar kujtoi një tubim shkencor i cili u kthye në një nga ngjarjet më të rëndësishme mbarëkombëtare, Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që mund të konsiderohet si gur themeli për identitetin dhe unitetin kombëtar.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe morën pjesë 87 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe arbëreshët e Italisë, mes tyre gjuhëtarë, mësues, shkrimtarë, botues e figura të shquara të arsimit dhe kulturës.
Gjatë 6 ditëve të kongresit u mbajtën mbi 150 kumtesa shkencore.
Kongresi vendosi standardizimin përfundimtar të gjuhës shqipe, duke krijuar një normë letrare të njësuar për të gjithë shqiptarët. Kjo normë u përcaktua si themel i arsimit, letërsisë, botimeve shkencore dhe komunikimit zyrtar, me ndikim të thellë në jetën kulturore dhe në forcimin e unitetit kombëtar.





