Shefi i agjencisë ruse të hapësirës ”Roscosmos” sugjeroi se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) mund të rrezikohej, pas sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë, në vazhdën e pushtimit të Ukrainës. Në një mesazh, shefi i ”Roscosmos”-it, Dmitry Rogozin ngriti problemin e rënies në Tokë të ISS, nëse ai do të dilte jashtë orbitës. ”Partnerëve të ISS u është kërkuar të tërheqin masat ndëshkuese të paligjshme kundër kompanive ruse”, tha Rogozin. ”Roscosmos”-i është përgjegjës për mirëmbajtjen e ISS dhe fluturimet drejt tij. Një kapsulë hapësinore ”Soyuz” është planifikuar të kthehet në Tokë më 30 mars duke transportuar astronautin amerikan, Mark Vande Hei dhe kozmonautët Anton Shkaplerov dhe Pyotr Dubrov. Astronauti gjerman, Matthias Maurer do të qëndrojë në bordin e ISS. Disa kompani në Rusi që janë të rëndësishme për udhëtimet në hapësirë janë prekur nga sanksionet perëndimore. Së fundmi, ”Roscosmos”-i njoftoi se po pezullonte dërgesat e motorëve të raketave në SHBA, si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve amerikane.
Konflikti ruso-ukrainas rrezikon Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor
RELATED ARTICLES