Konferenca e 7-të vjetore shkencore e përbashkët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Konferenca e aktorëve kombëtarë në arsim dhe sistemeve shkencore në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, do të vazhdojë deri më 20 shtator 2023.
Procesi i Berlinit është një nismë ndërqeveritare që mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe nxit bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore. Ai është themeluar në vitin 2014 dhe përfaqëson një nismë bashkëpunimi, që përfshin 16 vende europiane dhe Komisionin Europian. Që nga viti 2015, Procesi i Berlinit ka përfshirë një kapitull të veçantë, që trajton shkencën, arsimin, kërkimin, inovacionin dhe transferimin e teknologjisë. Ky kapitull i Procesit të Berlinit koordinohet nga Akademia Kombëtare Gjermane e Shkencave Leopoldina. Takimi vjetor i palëve të interesuara të përfshira në këtë kapitull zhvillohet në formën e Konferencës së përbashkët të shkencës së Procesit të Berlinit.
Këtë vit, Shqipëria mban Presidencën e radhës të Procesit të Berlinit, duke e organizuar kapitullin e Procesit të Berlinit në Europën Juglindore, duke theksuar në këtë mënyrë autorësinë rajonale.
Konferenca do të fokusohet në tri çështje kryesore:
- Vlerësimi i progresit të arsimit të lartë, kërkimit dhe inovacionit të Ballkanit dhe Europës Juglindore drejt integrimit në konturet arsimit, kërkimit dhe inovacionit të Bashkimit Europian.
- Krijimi i ekselencës në Ballkan nëpërmjet bashkëpunimeve në kërkimin shkencor, inovacionin dhe metodikat arsimore të arrira.
- Zhvillimi i skemave të personalizuara të lëvizshmërisë për studentët, studiuesit dhe profesionistët, duke përfshirë (ri-)lidhjen e akademikëve të diasporës me vendet e tyre të origjinës.
Rezultati i konferencës do të jetë një Deklaratë e Përbashkët, që do të përmbajë një sërë rekomandimesh mbi temat e mësipërme që do të përfshihen për diskutim në Samitin e 9-të të krerëve të shteteve dhe qeverive për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë, më 16 tetor 2023.