Kjo veprimtari shkencore u organizua nga Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, Universitetin e Tiranës; Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Shoqatën Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine.

Konferenca mblodhi bashkë në Tiranë mbi 40 përfaqësues nga bota akademike brenda dhe jashtë vendit, historianë dhe profesorë të njohur, me synimin për të hedhur dritë mbi një ndër periudhat më të rëndësishme, por më pak të studiuara të historisë shqiptare.

Ceremonia e hapjes u moderua nga prof. dr. Paskal Milo, kryetar i Komisionit të Përhershëm të Historisë në Akademinë e Shkencave.

Konferenca u përshëndet nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; Imzot Joani, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë dhe dr. Antonio Riggio, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine (International Association of Byzantine Studies).