Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), shuma totale e dëmeve të paguara bruto arriti në 6.9 miliardë lekë, duke shënuar një ulje me 1,99% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Megjithatë, rënia në vlerë shoqërohet me një rritje të dukshme të numrit të dëmeve të likuiduara. Në dhjetëmujorin e këtij viti u paguan gjithsej 63,020 dëme, ose 2,815 më shumë se një vit më parë.

Pjesa dërrmuese e dëmeve të paguara vijon t’i përkasë sigurimit motorik, i cili mbetet segmenti më domethënës i tregut të sigurimeve të Jo-Jetës.

Vetëm gjatë kësaj periudhe, sigurimet motorike kanë paguar rreth 5.27 miliardë lekë dëme, që përfaqëson 76,45% të totalit.