Komisioni Evropian ka paralajmëruar Hungarinë për kundërmasa nëse qeveria e kryeministrit Viktor Orban miraton projektligjin e diskutueshëm që kufizon organizatat joqeveritare (OJQ-të).
Prezantimi i projektligjit “transparencë në jetën publike” do të impononte rregulla të rrepta për OJQ-të e financuara nga jashtë, të cilat shihen si një rrezik për sovranitetin e Hungarisë.
“Projektligji – i paraqitur në parlament në Budapest nga partia konservatore nacionaliste Fidesz e Orban – përfaqëson një shkelje serioze të ligjit të BE-së”, sipas komisionit me seli në Bruksel.
Komisioni Evropian bëri thirrje që drafti të tërhiqej nga procesi legjislativ.
Organi i kryesuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – tha se nëse ligji miratohej – ai nuk do të hezitonte të ndërmerrte masat e nevojshme.
Komisioni mund të fillojë të ashtuquajturat procedurat për shkelje, të cilat rezultojnë në gjoba të rënda për shtetet anëtare që nuk i përmbahen ligjit të BE-së.
E krahasueshme me legjislacionin në fuqi në Rusi, projektligji lejon që OJQ-të e financuara nga jashtë – me aftësinë për të ndikuar në opinionin publik – të futen në listën e zezë.
OJQ-të e listuara mund të marrin mbështetje materiale nga jashtë vetëm me autorizimin e zyrës tatimore të vendit.
Nëse një OJQ siguron para të huaja me mjete të tjera, ajo duhet të paguajë 25-fishin e shumës si gjobë të vendosur nga shteti – përndryshe organizata do të shpërbëhej dhe do të ndalohej.
OJF-të janë organizata që bëjnë fushatë në mënyrë të pavarur nga qeveritë për të drejtat e njeriut, mjedisin ose shëndetin dhe aspekte të tjera të jetës publike.