Komisioni Evropian hodhi bazat për pranimin e euros dixhitale si mjet ligjor në eurozonë. Me pagesat pa para duke u bërë më të zakonshme pas pandemisë Covid-19, euro pritet të “përshtatet në epokën dixhitale”, tha në një konferencë shtypi nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis. Qëllimi është që publiku në të gjithë eurozonën të jetë në gjendje të kryejë pagesa në çdo kohë, online dhe offline, pa pagesë, me bizneset të detyruara të pranojnë monedhën dixhitale. Komisioni tha se përdoruesit e euros dixhitale do të përfitonin nga privatësia më e madhe gjatë shpenzimeve të tyre me më pak të dhëna të zbuluara sesa një transaksion me një pagesë me kartë. Një propozim i dytë, sipas komisionit, siguron vendin e parave të gatshme në zonën e euros si një mjet pagese i pranuar gjerësisht ndërsa puna vazhdon për futjen e euros dixhitale. Komisionerja e Shërbimeve Financiare të BE-së Mairead McGuinness theksoi në një konferencë për shtyp se ”euro dixhitale duhet të plotësojë dhe jo të zëvendësojë rolin e parave të gatshme”. “Për shumë njerëz, paraja është mbret,” theksoi McGuiness, duke vënë në dukje se ”besimi i publikut në euron dixhitale do të ishte thelbësor për suksesin e monedhës”. ”Pasi të miratohet nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian, kuadri i lejon Bankës Qendrore Evropiane (BQE) të lëshojë euron dixhitale, ‘nëse dhe kur’ vendos ta bëjë këtë”, thuhet në një deklaratë. atsh