Pas suksesit absolut në Durrës, Elbasan, Fier, Berat dhe Tiranë, komedia “Të prezantoj babain” shkruar nga dramaturgu i mirënjohur anglez Alan Ayckbourn, rikthehet në takimin e përvitshëm veror, në arenën e amfiteatrit antik të Durrësit. “Të prezantoj babain” interpretohet nga Gentian Zenelaj, Suela Bako, Ervin Doko dhe Alesia Xhemalaj dhe është shkruar nga mjeshtri i komedisë angleze, Alan Ayckbourn, fitues i “Tony Award” në 2010 dhe “Laurence Olivier Award” në 2009. Kjo komedi angleze vazhdon të luhet në skenat e teatrove më të rëndësishme botërore, që nga suksesi që korri në vitin 1965. Në skenën e amfiteatrit antik do të vijë me regjinë e Adelina Muçës, skenografi të Marçela Llanës dhe kostumet nga Lira Zahiri. Vepra ka vetëm dy akte dhe katër personazhe. “Të prezantoj babain” ose siç njihet botërisht “Relatively Speaking” është shembulli tipik anglez i “komedisë së konfuzionit” apo paqartësive që krijohen për të mbajtur pezull dhe argëtuar publikun: një palë pantofla misterioze, një seri telefonatash të çuditshme, lule që nuk kuptohen se nga vijnë, një adresë e dyshimtë, një propozim i papritur për martesë dhe një vendim për të takuar prindërit… Autori i komedisë, Alan Ayckbourn ka lindur në Londër në 1939 dhe ka shkruar më shumë se 70 komedi, shumica e të cilave kanë qenë të suksesshme. atsh