Në muajin nëntor, Kombëtarja shqiptare e futsallit do të zbresë e para në fushë në datat 8 dhe 9, në dy përballjet miqësore ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin, ndërkaq trajneri i ekipit Erind Resuli ka ftuar për këto dy ndeshje 14 lojtarë. Në krahasim me listën e fundit ka vetëm një ndryshim, teksa këtë radhë nuk është pjesë Mentor Mejzini dhe është ftuar Roald Halimi. Kombëtarja ka nisur tashmë grumbullimin dhe do të kryejë stërvitjen e parë mbrëmjen e sotme. Kjo nuk është hera e parë që këto dy Kombëtare do të përballen në ndeshje miqësore, pasi në muajin qershor të këtij viti, kuqezinjtë e Erind Resulit zhvilluan dy takime ndaj Malit të Zi në transfertë. Të dyja sfidat përfunduan në barazim, e para nuk prodhoi asnjë gol 0-0, ndërsa takimi i dytë 2-2. Ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme pasi i japin mundësi trajnerit të Kombëtares së futsallit, Erind Resuli dhe stafit teknik, të vëzhgojnë nga afër gjendjen e lojtarëve dhe gjithashtu mundësinë për të provuar lojtarë të rinj, që mund të jenë të vlefshëm për Kombëtaren në kompeticionet e ardhshme zyrtare. Sfida e parë miqësore do të luhet në datën 8 (ora 19:00) dhe ndeshja e dytë në datën 9 (ora 17:00). Të dyja sfidat do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në kryeqytet. Ky do të jetë grumbullimi i tretë i Kombëtares së futsallit për këtë vit.
Më poshtë, edhe lista e 14 lojtarëve të ftuar nga trajneri Erind Resuli për dy miqësoret me Malin e Zi:
Cristiano Cardoso
Valdrin Mjeku
Drilon Haxhijaj
Ermir Kryeziu
Endrit Kaca
Halim Selmanaj
Roald Halimi
Arif Limani
Fatlum Pishtani
Jetmir Gashi
Azdren Gashi
Flamur Tahiri
Artan Jonuzi
Darrier Soares De Melo